Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, kryeministri Rama deklaroi se fatkeqësia natyrore na zuri të papërgatitur dhe u zotua se do të investohet në Emergjencat Civile. Por, dy vite më vonë ky shërbim i rëndësishëm punon me flotën më të vjetër të mjeteve në Ballkan dhe me një numër të kufizuar zjarrfikësish për numër banorësh.
Autore: Bledar Gilaj, Xhemil Beharaj dhe Enriko Gabaj
Shpati Haxhiaj është i bindur se, nëse Emergjencat Civile do të kishin ndërhyrë në kohë, prindërit e tij nuk do të kishin humbur jetën në përpjekje me flakët e zjarrit, që iu kishin ardhur te dera e shtëpisë.
Ngjarja fatkeqe u regjistrua në fillim të muajit gusht të këtij viti, në fshatin Asim Zeneli të Gjirokastrës. Andrea Haxhiaj humbi jetën në përpjekje për të shuar flakët e zjarrit që i kishin rrethuar shtëpinë, ndërsa pak ditë më vonë ndërroi jetë edhe bashkëshortja e tij, Tatiana, e cila mori plagë të shumta, në tentativë për të shpëtuar të shoqin.
Djali i çiftit, Shpati, shprehet se atë ditë nuk ishte në shtëpi, por dyshimet e tij janë te neglizhenca e Emergjencave Civile.
“Si ka mundësi që zjarrfikësja e Gjirokastrës ka mbërritur në të njëjtën kohë me atë të Libohovës? Dyshoj se ka qenë neglizhencë e Emergjencave, pasi nuk e kapën situatën në kohë, megjithatë unë po pres të zbardhet e vërteta”, – rrëfehet Shpati Haxhiaj për Investigative Network Albania, i cili thotë se fshatrat në këtë zonë ishin prej ditësh nën pushtetin e zjarreve.
Ende nuk ka ngritur një padi, pasi pret të dalë e vërteta në dritë.
Por, ish-kreu i shërbimit zjarrfikës në Gjirokastër, Kujtim Bizhga, i cili u shkarkua menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, mohon të kenë neglizhuar.
“Zjarri kishte rënë një ditë më herët, shumë larg fshatit Asim Zeneli, por të nesërmen u riaktivizua prapë dhe u përhap shpejt dhe pothuajse u futën në zjarr tri fshatra, ndërsa fshati Asim Zeneli ishte fshati i katërt. Zjarrfikësit ishin në atë kohë në fshatrat e tjera, ku vatrat ishin shumë të rrezikshme dhe më pas u nisën në fshatin Asim Zeneli”, – shprehet Bizhga për INA MEDIA-n.
Sipas tij, burri kishte tentuar të shuante flakët, por temperatura ka qenë tejet e lartë, ku fillimisht mendohet se i ka shkaktuar asfiksi dhe më pas djegie.
“Ndërsa gruaja ishte mirë, menduam se shpëtoi. E kam çuar vetë me makinë në spital, por ajo ndërroi jetë më vonë”, – kujton Bizhga.
Por, çifti Haxhiaj nuk ishte i vetmi që humbi jetën nga zjarret përgjatë këtij viti. Sipas Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile (AKMC), “gjatë 10 muajve (janar-tetor 2021), nga 1017 zjarre në total kanë humbur jetën 14 persona, ndërsa janë djegur rreth 9 mijë hektarë kullota e pyje”.
Zjarrfikësit, pa mjete mbrojtëse
Pa mjete mbrojtëse dhe me fonde minimale, situata e mjerueshme, ku është lënë ky sektor kyç, duket se ka qenë një “mollë sherri” mes vetë drejtuesve.
Kreu i Emergjencave Civile të Gjirokastrës, Bizhga, e lidh shkarkimin e tij me denoncimet që ai kishte bërë për paaftësinë e bashkive për ta mbajtur në këmbë këtë shërbim.
“Për mua shkarkimi e kishte zanafillën shumë më herët. Në vitin 2019 kam dorëzuar një raport pranë ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, ku theksoja që ligji i shërbimit zjarrfikës nuk funksionon, për arsye se bashkitë nuk janë në gjendje të mbajnë, të përgatisin dhe të komandojnë njerëz për një shërbim shumë të veçantë, sepse nuk kanë as mundësitë për ta mbajtur”, – thotë ai.
“Kjo shkaktoi një konflikt të heshtur dhe më pas erdhi lëvizja ime, ku më çuan instruktor stërvitjeje. Dy muaj më vonë u shkurtua funksioni i instruktorit dhe më nxorën në reformë”, – argumenton Bizhga.
Edhe kryesindikalisti i zjarrfikësve e lidh këtë vendim shkarkimi të kreut të Emergjencave Civile të Gjirokastrës me denoncimin që ai i bëri situatës.
“Kërkoi që të investohej në shërbimin zjarrfikës, kërkoi pajisje, respektimin e ligjit për numrin e zjarrfikësve për numër banorësh, por nuk u realizua asgjë. Gjirokastra ka vërtet terren të vështirë dhe të madh, do pajisje dhe njerëz”, – shprehet Bledar Bajramaj.
Por, 3 muaj më vonë situata u përsërit sërish në Gjirokastër dhe një tjetër çift humbi jetën për shkak të flakëve.
Më 17 nëntor të vitit 2021, dy të moshuar, Irakli dhe Fotini Panajoti, u dogjën në banesën e tyre në fshatin Hllomo të Dropullit. Të moshuarit, 87 dhe 83 vjeç, u përpoqën të dilnin nga banesa në flakë, por u asfiksuan.
Banorët tregojnë se nuk mundën t’iu vinin në ndihmë, pasi fshati është i banuar vetëm nga mosha e tretë, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe policia kanë arritur në vendin e ngjarjes rreth 2 orë pas marrjes së njoftimit.
Në vitin 2013 Bashkia e Gjirokastrës nuk kishte asnjë makinë zjarrfikëse, ndërsa sot numëron 8 mjete, ku 4 janë zjarrfikëse, tri, fuoristrada për aksidente rrugore dhe zona malore, dhe një autobot.
Zjarret u luftuan me lopata e degë
Në kulmin e zjarreve që pushtuan vendin këtë verë, forcat e Emergjencave Civile u shfaqën të pambrojtura, duke shuar flakët me lopata e degë pemësh.
Veç viktimave në Gjirokastër, gjatë verës u dogjën rreth 9 mijë hektarë pyje dhe kullota. Situata më problematike u regjistrua në Vlorë, ku zjarri dogji mijëra hektarë për dy javë rresht, por edhe në Fier e Kukës.
Luan Kapaj, zjarrfikësi hero i tërmetit të 26 nëntorit 2019, ishte i vetmi që ngriti zërin për kushtet, me të cilat ata duhet të përballeshin me zjarret që dogjën Vlorën këtë verë.
“Mua dhe kolegëve të mi nuk na mungon as guximi dhe as përvoja për të luftuar me flakët, por na mungojnë mjetet mbrojtëse, që nga veshja, kokorja, maska, që të mund të sigurojnë jetën tonë. Fillimisht duhet të mbrojmë jetën tonë dhe më pas të ndërhyjmë sa më shumë në zonën e rrezikut”, – tha ai në një intervistë televizive, ku vuri në dukje kushtet e vështira, me të cilat po luftonte flakët prej dy javësh në zonën e Dukatit dhe Karaburunit.
Interesimit të Investigative Network Albania për një intervistë, ai iu përgjigj se iu është dhënë urdhër me shkrim që të mos komentojnë asgjë për kushtet e punës.
Për sindikalistin Bajramaj është absurde situata, me të cilën përballen zjarrfikësit.
“Me një çantë shpine të hipësh e të fikësh zjarrin…! Po të shikosh Vlorën, të gjithë punonjësit ishin të rraskapitur, të djegur nga këmbët, nga duart. Me ato ushqimet që merrnin me vete, duke qëndruar nga 20 orë në mal, shumë i vështirë menaxhimi. Me çfarë të fiket zjarri në të tilla përmasa?! Me gjethe?!”, – thotë për INA MEDIA-n kryetari i sindikatës së Zjarrfikësve, Bledar Bajramaj.
A ekziston flota ajrore për emergjencat?
Veç mungesës së mjeteve dhe pajisjeve të forcave tokësore, ajo që u vu re shumë verën e vitit 2021 ishte mungesa e luftës së zjarrit nga ajri, ndërsa helikopterët nuk u nxorën në aksion, me pretendimin se ata i kishin përmbushur orët teknike të punës.
U desh ndihmë nga vendet e tjera për të përballuar emergjencën e krijuar, sidomos në jug të vendit.
“Masat merren më përpara. Të thuash, nuk kemi helikopterë, se iu mbaruan orët e punës?! Dy helikopterë, të një tonazhi deri në 1.5 tonë ujë, shteti duhet t’i ketë për Emergjencat Civile dhe menaxhohet kollaj”, – shprehet Bajramaj, teksa komenton shifrat e zjarreve gjatë këtij viti.
Pas tërmetit të 26 nëntorit zjarrfikësit u konsideruan heronj dhe u premtuan shumë investime, por zjarret e kësaj vere konfirmuan se asgjë nuk ka ndryshuar.
Për ish-kreun e Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, këtij sektori nuk i kanë munguar investimet, por është keqmenaxhuar. Sipas tij, mjetet janë nëpër magazina, por çuditërisht Emergjencat Civile dalin në aksione pa mjete mbrojtëse.
“U miratua ligji për mbrojtjen civile, u krijua agjencia kombëtare, u 20-fishua stafi i Emergjencave Civile dhe çuditërisht gjithë ky staf nuk e dinte, ku ishin magazinat dhe ku ishin pajisjet. Ndodhën përmbytje në Tiranë, në Durrës, ndodhën përmbytje në Vlorë; përsëri strukturat e Emergjencës Civile shkuan me çizme, me këpucë, me këmbale dhe s’kishin as kostume që i kanë në magazinë; 76 të tillë ua kam lënë unë nga projektet e BE-së. Iu kam lënë motobarka, iu kam lënë motogomone, iu kam lënë litarë, iu kam lënë pajisje”, – shprehet Shemsi Prençi, ish-kreu i Emergjencave Civile në Shqipëri, për INA MEDIA-n.
Me flotën e mjeteve më të vjetra në Ballkan
Si pasojë e mungesës së investimeve zjarrfikësve shqiptarë iu duhet të luftojnë zjarret, përmbytjet, tërmetet apo çdo fatkeqësi natyrore me flotën e mjeteve më të vjetra në Ballkan.
“Mjetet janë vjetruar, janë agregate. Shërbimi i zjarrfikësve duhet të ketë mjete të ndryshme. P.sh., në Itali, mos të shkojmë më larg, ke që nga fadromat, vinçat, gjë që unë këtu nuk e kam parë në asnjë repart shqiptar”, – denoncon Bledar Bajramaj.
“Mos të flasim për veshjet, si në rastin e zjarrit te Casa Italia. Akoma asnjë repart në Shqipëri nuk ka veshje të veçanta për zjarret industriale, janë veshjet për zjarret e banesave, por për zjarret industriale, ku temperaturat arrijnë mbi ekstrem, zjarrfikësit shqiptarë nuk kanë veshje”, – shprehet më tej kryesindikalisti, Bajramaj.
Nga informacionet zyrtare, të marra pranë 61 bashkive, rezulton se gjatë dy viteve të fundit vetëm 6 bashki kanë blerë mjete zjarrfikëse, pikërisht Korça, 2 zjarrfikëse; Tirana, 1 zjarrfikëse; Kruja, 1 zjarrfikëse; Kamza, 1 zjarrfikëse; Lezha, 1 zjarrfikëse dhe Mati, 1 fuoristradë për shërbimin zjarrfikës.
Por, nga verifikimi i procedurave tenderuese rezulton se të gjitha mjetet e blera janë të vjetra, 10-30-vjeçare, përveç Bashkisë së Lezhës, e cila sapo ka blerë një mjet zjarrfikës me vit prodhimi 2021. Konkretisht, Bashkia e Korçës ka blerë dy zjarrfikëse në vlerën e 7.99 milionë lekëve pa TVSH, ku në specifikimet teknike të tenderit kishte parashikuar: “Viti i prodhimit 1992 e në vazhdim”. Ndërsa Bashkia e Krujës ka specifikuar që mjeti të jetë vit prodhimi 2006 e lart, ku ka blerë një zjarrfikëse dhe pajisje të tjera për 9 milionë lekë pa TVSH.
Eksperti i pushtetit vendor, Fatlum Nurja, nuk lë pa përgjegjësi edhe pushtetin vendor.
“Mjafton të marrim në konsideratë faktin që akoma ka mjete zjarrfikëse të viteve ’60 në bashki të ndryshme ose asnjë mjet, për të kuptuar situatën”, – thotë eksperti Fatlum Nurja.
E njëjta skemë mësohet se është ndjekur edhe para disa vitesh, ku rezulton se në vitet 2015-2019, 25 bashki kanë blerë nga një mjet të vjetër zjarrfikës. Sipas të dhënave, bashkitë që kanë blerë zjarrfikëse gjatë katër viteve janë Ura Vajgurore, Klos, Shijak, Elbasan, Cërrik, Belsh, Përrenjas, Divjakë, Mallakastër, Roskovec, Patos, Libohovë, Memaliaj, Këlcyrë, Kolonjë, Maliq, Kurbin, Pukë, Fushë-Arrëz, Vau i Dejës, Vorë, Selenicë, Sarandë, Finiq dhe Konispol. Vetëm Bashkia e Maliqit rezulton se ka blerë 2 automjete zjarrfikëse.
“Shërbimi i zjarrfikëses në njësitë e qeverisjes vendore është për të ardhur keq, duke filluar nga uniformat, nga makinat, pajisjet për luftën kundër zjarrit, nga pajisjet për luftën kundër përmbytjeve, çka do të thotë se nuk ka një menaxhim, nuk ka një planifikim dhe kjo kërkon investime të vazhdueshme”, – shprehet Prençi.
Emergjencat Civile, dy vite pas tërmetit
Për të mos mbetur vetëm te zjarret e sivjetshme, por për t’i dhënë përgjigje pyetjes se si paraqitet gjendja e Emergjencave Civile dy vite pas tërmetit, le t’i marrim faktet me radhë.
Emergjenca Civile është një mekanizëm që përbëhet nga Ministria e Mbrojtjes, që ka Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Ministria e Brendshme, që ka Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Zjarrfikës dhe Drejtoritë e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri (SHMZ), që janë në varësi dyfishe, mes bashkisë (që në vitin 2016) dhe Ministrisë së Brendshme. Por, AKMC dhe Drejtoria e Përgjithshme janë organizma koordinues, ndërsa zjarrfikësit ose SHMZ-të janë forca operacionale që përballen direkt me emergjencat civile.
Para shtatorit të vitit 2017, Emergjencat ishin të varura nga Ministria e Brendshme, por pas kësaj date kaluan në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Në fund të vitit 2019, Emergjencat u riformatuan në Agjencinë Kombëtare për Mbrojtjen Civile. Megjithatë, tërmeti i 26 nëntorit i gjeti Emergjencat Civile në fazë tranzicioni, ende të patransformuara në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, një nga pyetjet që u ngrit nga të gjithë ishte: A mund të përballojë Shqipëria situata të tilla të emergjencave civile? Pyetjes, nëse ka ndryshuar diçka tek Emergjencat Civile pas tërmetit të 26 nëntorit, kryeministri Rama iu përgjigj në nëntor të vitit 2020: “Jemi në nivelin e shumë vendeve dhe besoj që jemi në të njëjtin nivel me vendet e rajonit”.
Por, le të bëjmë një krahasim me rajonin. Sipas ligjit për Emergjencat Civile dhe standardeve europiane, Shqipëria duhet të ketë 1 zjarrfikës për 1000-1500 banorë.
Podgorica me 250.000 banorë ka 250 zjarrfikës me kohë të plotë, me 4 stacione dhe 30 automjete zjarrfikëse, pra aty kemi zbatimin e standardit europian, 1 zjarrfikës/1000 banorë. Ndërkohë Tirana numëron rreth 800-900 mijë banorë (shifrat e vitit 2018) dhe ka 170 zjarrfikës, gjysma janë shtuar pas tërmetit të vitit 2019.
“Vetëm vitin e kaluar janë shtuar 50 punonjës të shërbimit zjarrfikës. Aktualisht jemi rreth 170 forca të shërbimit zjarrfikës, jemi përqendruar në 7 stacione”, – tha drejtori i Shërbimit Zjarrfikës për Tiranën, Shkëlqim Goxhaj, për INA MEDIA-n.
Që do të thotë se në Tiranë kemi 1 zjarrfikës për 5 mijë banorë, pra 5 herë më pak se Podgorica.
Situata është edhe më e vështirë në bashkitë e tjera.
“Shqipëria ka 1200 zjarrfikës, banorë ka 3 milionë, tani t’i biem lapsit dhe na rezulton 1 zjarrfikës për 10 mijë banorë”, – shprehet kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Bledar Bajramaj.
Po ashtu, edhe Mali i Zi ka një Qendër Trajnimi Zjarrfikësish model për rajonin, Kosova ka një qendër trajnimi në Vushtrri, Maqedonia ka një Qendër Trajnimi Zjarrfikësish, Greqia ka një Akademi për Zjarrfikësit, ndërsa në Shqipëri Qendra e Trajnimit për Zjarrfikësit, që ishte në një ndërtesë në lagjen nr. 6, në Tiranë, e lënë në mëshirën e fatit për një kohë të gjatë, u kthye në komisariat policie (Komisariati nr. 6), duke i lënë zjarrfikësit pa një qendër trajnimi.
“Shërbimi zjarrfikës trashëgon një prapambetje shumë të madhe, sa i përket përgatitjes profesionale, nuk ka, as shkollë, as qendër trajnimi. As Afrika nuk krahasohet me ne. Një shërbim i patrajnuar në 30 vite. Një shërbim me teknikë dhe pajisje nga më të vjetrat në botë. Pa i besuar kurrë për të blerë gjëra të reja”, – shprehet ish-oficeri zjarrfikës, Kujtim Bizhga.
Investimet me pikatore për Emergjencat Civile
INA MEDIA pyeti fillimisht AKMC-në për investimet e kryera në dy vite për të kuptuar se sa është vlerësuar situata e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku si përgjigje mori:
“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kryer investimet për rehabilitimin e argjinaturave të lumenjve apo përrenjve, në mënyrë që të shmangen situatat e emergjencave civile, si pasojë e përmbytjeve në lumin Seman, në lumin Shkumbin, në Gosë të Kavajës; në përroin në Grykë Manati në Lezhë; në përroin Troshan në Lezhë; në përroin e Pllanës-Zejmen në Lezhë dhe në përroin e Gorishovës në Fier”.
Pra, të vetmet investime të kryera, sipas AKMC-së, janë vetëm për përballimin e përmbytjeve. Madje, AKMC pranoi se ende nuk i ka plotësuar të gjitha burimet njerëzore në qendrat lokale dhe rajonale.
“Qendrat e Mbrojtjes Civile në qark kanë për mision koordinimin, monitorimin dhe zbatimin e politikave për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile. Aktualisht janë të plotësuara me burime njerëzore në masën 50%”, – u përgjigj AKMC.
Vetë Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Zjarrfikës nuk ktheu një përgjigje deri në botimin e këtij artikulli.
Nga hulumtimi i kryer nga INA MEDIA dhe nga përgjigjet zyrtare të bashkive rezulton se, që nga momenti kur shërbimi i zjarrfikësve kaloi në varësi të bashkive (2015) dhe deri në nëntor të vitit 2019, fondet e dhëna janë krejt të papërfillshme.
Përgjatë kësaj periudhe 4-vjeçare 61 bashkitë shpenzuan vetëm 223 milionë lekë për investime në mjete dhe pajisje për shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Ndërsa nga nëntori i vitit 2019 dhe deri në nëntor të vitit 2021, vihet re një vëmendje e shtuar ndaj këtij shërbimi dhe njësitë e pushtetit lokal shpenzuan 203 milionë lekë, por sërish kjo shifër është larg objektivave të vendosura në ligjin për mbrojtjen civile.
4% e buxhetit të bashkive për emergjencat, i parealizueshëm
Ligji parashikon që çdo bashki të ndajë minimalisht 4% të buxhetit për emergjencat civile. Vetëm në vitin 2021 të ardhurat e buxhetit vendor janë në total 56 miliardë e 826 milionë lekë. Sipas përllogaritjes, 2 miliardë e 273 milionë lekë gjatë këtij viti duhet të kishin shkuar për emergjencat civile, por shifrat tregojnë se për investime ka shkuar vetëm 10% e kësaj vlere.
Megjithatë, përgjegjësia e fondeve për emergjencat civile nuk është vetëm e bashkive, por edhe e qeverisë.
Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, me anë të shkresës me nr. 23198/1, 24/12/2019, Ministria e Financave dhe Ekonomisë thotë se bashkitë duhet të japin për emergjencat vetëm 1.7% të buxhetit, pjesa tjetër do të sigurohet nga qeveria.
Për këtë arsye INA MEDIA verifikoi në buxhetet e 61 bashkive se sa pará janë alokuar për Emergjencat Civile.
Nga hulumtimi në 61 bashkitë e vendit rezulton se vetëm Bashkia e Shkodrës ka arritur që 4% të buxhetit të saj total ta kalojë për emergjencat civile, ndërkohë që asnjë bashki tjetër nuk e ka arritur këtë kufi të vendosur në ligjin për emergjencat civile.
“Pavarësisht se transferohet, qeveria nuk e heq asnjëherë përgjegjësinë, e cila është në themel të parimit të ushtrimit të autonomisë vendore. Ajo duhet të monitorojë e të raportojë në mënyrë periodike për të parë se ku çalon problemi, nëse ka”, – shprehet eksperti vendor, Fatlum Nurja.
Zgjidhja, e vështirë
Ekspertët e Emergjencave Civile fajësojnë për këtë situatë mënyrën se si është menaxhuar ky sektor kaq delikat.
Nga ana tjetër, ata bien të gjithë dakord me faktin se shërbimi zjarrfikës, si pjesë operacionale e Emergjencave Civile, nuk duhet të kishte kaluar në varësi të bashkive.
“Ne dolëm zbuluar në tërmetin e Durrësit, zjarrfikësit nuk duhet t’i kishin kaluar bashkisë, duhet të vareshin direkt nga drejtoria e përgjithshme dhe të kishin organizim tjetër”, – shprehet Kujtim Bizhga.
Veç problemeve për pajisje dhe mjete, edhe mungesa e trajtimit financiar mbetet një problem.
“Pagat e shërbimit zjarrfikës duhen parë. Edhe këtë e kemi kërkuar, pasi trajtimi financiar bëhet nga Ministria e Financave”, – shprehet Goxhaj.
“Pas reformës është ulur me 70 mijë lekë të vjetra rroga e një zjarrfikësi. U hoq një P, se ishte Policia e Zjarrit dhe e Shpëtimit dhe u vu Mbrojtja nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe u hoq 7% të pagës, sepse kjo ka qenë me P, kjo është pa P, edhe ju nuk e përfitoni”, – thotë Kujtim Bizhga.
Shemsi Prençi është i ashpër, kur thotë se, përveçse kanë ndryshuar numrin e njerëzve që marrin rrogën, asgjë nuk ka ndryshuar. Sipas tij, duhet të ketë një qasje krejt tjetër për këtë shërbim.
“Problemi qëndron te lidershipi, qoftë në rastin e tërmetit, ku strukturat operacionale u shfaqën në gërmadhat e tërmetit pa kamerat termike, që ne i disponojmë, që janë përfituar nga investimet që ka bërë Banka Botërore, e po kështu edhe kur u shfaqën në rastet e zjarreve të vitit 2021, ku strukturat operacionale ishin pa pajisje, ndërkohë që minimalisht duhet të kishte ekipe me pompat e shpinës, që kanë kapacitet 25 litra ujë me presion për ta fikur zjarrin dhe të mos shfaqeshin me lopata, – shprehet eksperti i Emergjencave Civile, ndërsa shton se, – në këtë gjendje unë lutem që të mos ketë fatkeqësi të natyrës”.