Bujqësia pa plan, kalbet prodhimi vendas. Fermerët nuk orientohen drejt kulturave bujqësore që kërkon tregu

Autor: Rudina Muça – Qendra Alert

Prodhime të hedhura në kanal, ulje çmimesh me nënkoston e prodhimit, importet me çmime shumë herë më të ulëta se prodhimi vendas, është historia që përsëritet çdo vit në sektorin e bujqësisë. E gjithë kjo ndodh për shkak të mungesës së informacionit që i duhet me çdo kusht fermerit për t’u orientuar të kultivojë në tokën e tij atë që tregu kërkon. Në këtë hulumtim, “Qendra ALERT” ka bërë një pasqyrim të sfidave me të cilat përballet fermeri shqiptar dhe politikat që duhet të orientojë qeveria për ta çuar këtë sektor drejtë zhvillimit.

Në të njëjtën situatë ndodhet edhe sektori i blegtorisë, ku ndonëse ka më pak tufa dhe stane, qumështi dhe mishi nuk blihet nga industria e përpunimit. Mungesa e subvencioneve nga qeveria bën që qumështi dhe mishi vendas të kenë kosto shumë herë më të lartë se importi.

Shalqini “pushton” tokat e fermerëve

 

Konkretisht në Lushnjë dhe Fier, fushat janë të mbushura me shalqi. Sipas fermerëve, pikat e grumbullimit nuk e tërheqin pasi ka kaluar në tejpjekje. Një tjetër faktor që ndikoi në mbetjen stok të prodhimit, është se shalqini u mboll pa kriter nga veriu në jug, duke tejkaluar nevojat për treg.

Një nga eksportuesit më të mëdhenj të prodhimeve shqiptare, Ardian Çitozi rrëfen për ALERT eksperiencën e tij jo të mirë me kultivimin e shalqinit. Sipas tij, ky prodhim eksportohet nga Italia e deri në Rusinë e largët.

Duke parë që vendet e BE-së kërkonin prodhimet bujqësore shqiptare, me vullnetin e tij Ardiani i orientoi fermerët e fshatit Imësht të Lushnjës të kultivonin dy lloje varietete shalqini. Për të garantuar tregun lidhi një kontratë noteriale me fermerët. Nisma “AgroImshta” dështoi, sipas Çitozit, sepse shalqini këtë vit u kultivua në të gjithë vendin dhe sasia e madhe e prodhimit uli çmimin në nënkosto.

Ardian Çitozi

“Unë kam shkuar në fshatin Imësht të Lushnjës, ku së bashku me një shok hapëm një firmë të re, të cilën e quajtëm “AgroImshta”. Organizuam fermerët e zonës, ku nënshkruam edhe një kontratë noteriale. Ne i orientuam ata që të mbillnin varietetet ‘Kleopatra’ dhe ‘Cezarea’. Sipas marrëveshjes, çdo kokërr që peshonte mbi 10 kg do ta blinim ne, ndërsa frutin nën këtë peshë mund ta shisnin fermerët privatisht. Gjithashtu, u sigurova edhe agronomin nga Greqia për të dhënë ndihmën e duhur teknike, se si duhet të kujdeseshin fermerët për këtë varietet shalqini”, shprehet Çitozi.

Por, kjo nismë e tij dështoi, si pasojë e disa faktorëve, siç janë kultivimi në masë e këtij prodhimi dhe pjekja e njëkohësishme e tij prej temperaturave të larta. Kjo sipas investitorit, solli tejmbushje të tregut.

“Prodhimin ia morëm në fillim siç parashikonte kontrata, por gjithashtu blemë edhe shalqinin nën 10 kilogram. Si fillim, dhamë 20 lekë më shumë për kilogram, ndryshe nga ç’ishte parashkruar në kontratë. Madje, kur çmimi ra 30 lekë të vjetra për kilogram, ne ua morëm prodhimin 30 lekë më lart për kilogram. U përmbyll kontrata bëmë pagesën, gjithçka në rregull. Por, në këto 20 ditë nga temperaturat e larta shalqini u poq para kohe. Kështu u mbush tregu në Evropë, e për pasojë fermerëve shqiptare iu ka mbetur në fushë. Përsa i përket Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të ishte mirë sikur shteti të financonte rajonet për produktet e caktuara, sepse nuk është e mundur që të kultivohet shalqini nga Shkodra në Sarandë. Fermerët janë të paorganizuar, mbjellin të gjithë të njëjtën kulturë bujqësore dhe prodhimi nuk shitet. Kjo gjë rregullohet me financime për llojin e kulturës dhe zonës”, përfundon Çitozi.

Importi godet fort sektorin e blegtorisë, Fasllia: Mbështesni fermerin

Një tjetër motiv që sjell çalim në sektorin e bujqësisë është importi. Ai e godet fort prodhimin vendas për shkak të çmimit më të lirë. Eksperti Ndoc Fasllia thotë për Qendrën ALERT se, fermerët vuajnë gjetjen e tregut për shitjen e qumështit dhe mishit. Sipas tij, industria e përpunimit të qumështit dhe mishit e gjen lëndën e parë në Serbi, ndërsa mbarështuesit e qingjave po konkurohen nga Bullgaria dhe Rumania. Po cila është arsyeja që prodhimet shqiptare kanë kosto më të lartë? Eksperti Ndoc Fasllia, ish Zëvendësministër i Bujqësisë thotë se, sekreti është te subvencionet.

Ndoc Fasllia

“Është një prodhim i subvencionuar. Vijmë tek sektori blegtoral; në Serbi jepen 166 euro për kokë lopë, 200 euro për çdo kokë lopë rracë e pastër. Jepet subvencion 0,06 euro për litër qumësht. Si dhe subvencion për prodhimin që vjen nga fusha në total, mbi 100 euro per ushqim te bagetive”, shprehet Ndoc Fasllia, i cili thekson se, “kostoja e qumështit dhe mishit në Shqipëri është shumë herë më e lartë se importi”.

“Kostoja e llogaritur për litër qumësht sot shkon rreth 300 lekë të vjetra. Ndërsa tek grumbulluesi çmimi i shitjes është 320-350 lekë të vjetra. Ndërkohë, në Serbi kostoja e çmimit për litër qumësht shkon 150 lekë”, shton Fasllia.

Sipas ekspertëve, për të konkuruar prodhimet serbe, duhet që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të kujdeset për fermerët dhe jo vetëm për përpunuesit.  “70% e financimeve në Serbi jepen për fermat blegtorale, fermat e fushës dhe 30% për agro-industrinë. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Shqipëria, e cila ka fabrika përpunimi që janë në gjendje për të përpunuar gjithë qumështit e rajonit, përsëri financohen nga shteti”, shton më tej ai.

 

Tkurrja e sektorit të blegtorisë dhe mungesa e fuqisë punëtore për të ruajtur tufat

 

Të rinjtë, përherë e më shumë i janë larguar blegtorisë. Çdo vit, ky sektor po vjen në tkurrje dhe ky duhet të jetë një shqetësim i madh për qeverinë, e cila duhet të hartojë politika subvensionuese dhe stimuluese. Blegtori Dritan Bardhi rrëfen sfidat me të cilat përballet çdo ditë. Ai ka ngritur një fermë të vogël afër Ndroqit, ku në stallë ka rreth 250 dhi dhe 100 keca. Të ardhurat e familjes i siguron vetëm nga puna në stan. Bardhi thotë se, baxhot e kërkojnë shumë lirë qumështin e dhisë, 50 lekë litri, ku sipas tij ky çmim nuk i mbulon kostot.

Dritan Bardhi

“Kostot i kam të larta, por pavarësisht kësaj detyrohem që mishin ta shes shumë lirë sepse kam nevojë të mbaj familjen. Nëse nuk dakordësohem me klientin, malli më mbetet stok. Një tjetër shqetësim për mua është edhe mungesa e fuqisë punëtore. Kam nevojë që të punësoj njerëz në fermën time pasi i vetëm nuk ia dal. Por edhe këtu has në vështirësi sepse asnjë i ri nuk dëshiron të punojë me mua bari. Të rinjtë nuk e duan bujqësinë dhe blegtori dhe unë jam i vetmi stan. Të gjithë djemtë kanë shkuar në emigrim”, tha fermeri Dritan Bardhi.

Nëse i referohemi të dhënave të INSTAT në Shqipëri numri i gjedhëve dhe bagëtive të imta është çdo vit në rënie.

Konkretisht, numri i gjedhëve në vitin 2020 ka shënuar rënie me 12,76 %, në krahasim me vitin 2019. Në vitin 2020, numri i të leshtave është 1,55 milionë krerë, duke shënuar rënie me 11,40 %, krahasuar me vitin 2019. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 75,39 % ndaj numrit gjithsej të tufës. Numri i dhive në vitin 2020 është 774.332 krerë, duke pësuar rënie vjetore me 10,26 %, në krahasim me vitin 2019. Në vitin 2020, numri i krerëve të derrave është 158.401 krerë, duke shënuar rënie vjetore me 13,84 %, krahasuar me vitin 2019. Përqendrimi më madh i numrit të derrave është në Qarkun e Lezhës me 35,61 % dhe në Qarkun e Fierit me 19,62 % ndaj numrit gjithsej të krerëve.

Për pasojë edhe qumësht ka më pak. Prodhimi i qumështit në vitin 2020 është 1,05 milionë tonë, duke shënuar një rënie me 5,39 %, në krahasim me vitin 2019. Struktura e prodhimit të qumështit, referuar vitit 2020 është: qumësht lope 85,28 %, qumësht dele 7,10 % dhe qumësht dhie me 7,62 %. Prodhimi i mishit, peshë e gjallë është 150 mijë tonë, duke shënuar rënie me 4,02 %.

Eksperti i Bujqësisë, Ervin Resuli ka në administrim një fermë me gjedhë. Sipas tij, në të gjithë strukturën këshilluese që ka ngritur Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, fermeri vendas në asnjë moment nuk merr ndihmë.

“Praktikisht fermeri shqiptarë me letra të Ministrisë së Bujqësisë konsultohet këshillohet për çdo gjë që bëhet në bujqësi. Në fakt zyrat e AREB dhe QTTB si dhe Zyrat Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, nuk janë në terren me fermerin. Unë kam një fermë lopësh dhe askush nuk më pyet se si i mbaj dhe me çfarë i ushqej, cilat janë medikamentet që përdor në kurim dhe se çfarë duhet të bëj në të ardhmen për të rritur fermën. Pyetjet e vetme janë ‘çfarë ke mbjellë dhe sa krerë lopë ke’. Nuk ka një protokoll që kjo ministri zbaton për formën e këshillimit” , tha eksperti Resuli.

 

Shërbimi Këshillimor i Ministrisë së Bujqësisë është inekzistent

Qendra ALERT nëpërmjet postës elektronike pyeti Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural se si ofrohet shërbimi këshillimor tek fermeri? Cilat struktura që merren me këshillimin dhe orientimin e fermerit?

Sipas kësaj shkrese mësojmë se, këshillimi i fermerëve bëhet nëpër AgroPika që drejtohen nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural dhe AREB.

“Metodat e punës së Strukturës së Këshillimit Bujqësor:

Demonstrime, ditë e fushës, takime në grup dhe individuale, vizita në fermë, panaire, seminare, ëorkshope, fletëpalosje, botime, aktivitete për zhvillimin e organizatave të fermerëve, shkrime, emisione, kronika televizive dhe video etj”, citohet në shkresën zyrtare të MBZHR. Katër Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor: Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor; AREB-Tiranë-Shkodër-Lushnje-Korçë.

“Ekstensioni monitoron dhe raporton çdo muaj të dhëna të përmbledhura (vizita në qendrat e informacionit, demonstrime, ditë fushe, takime të tjera, takime individuale, trajnime, fletë-palosje, emisione në TV, libra të shitur, ditë pune jashtë ekstensionit, fermerë të asistuar për skemat mbështetëse). Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor kanë qenë të angazhuar në informimin e komunitetit të fermerëve dhe agrobizneseve në lidhje me mundësinë e përfitimit nga Skemat Kombëtare”, shton me tej Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Kjo formë këshillimi nuk e ndihmon fermerin shqiptar që të rrisë sipërfaqen e të mbjellave. Një strukturë e tillë nuk e shpëton fermerin nga instikti i tij, i cili në mungesë të këshillimit, të kultivojnë atë prodhim bujqësor që ka kërkuar tregu i vitit të shkuar.

“Këshillimi, për të shmangur krizën e tregut me kulturat bujqësore nuk ekziston. I vetmi orientim ka qenë në vitin 2005-2009, kur Kryeministri i asaj kohe loboi që fermerët të kultivonin arrorët dhe agrumet, po as kjo nuk ishte efektive. Fermerët mbjellin në bazë të instinkteve të tyre, pa u këshilluar. Kjo do të thotë që, fermerët e shohin se cili produkt ka pasur treg të mirë një vit më parë dhe të gjithë mbjellin të njëjtën gjë, duke matur kërkesë-ofertën e sezonit të shkuar, ndërkohë që në vitin e ri kërkesë-oferta ndryshon. Në raste të tilla, oferta bëhet më e madhe se kërkesa dhe prodhimi mbetet stok e përfundon në kanal. Krizat e tregut janë bërë të përvitshme. AgroPikat japin këshillim vetëm për skemat që ofron AZHBR, por nuk kryejnë asnjë lloj studimi se çfarë do të kërkohet në sezonin e ardhshëm”, tha Eksperti i Ekonomisë Bujqësore, Eduart Sharka.

Bursa Bujqësore dhe ndarja e kulturave që rrit tregtinë e jashtme

 

Sipas të dhënave rezulton se, shqiptarët nuk e punojnë tokën. Edhe pse Shqipëria punon vetëm 1/3 e tokës bujqësore, në çdo sezon kemi prodhime që hidhen në kanal, ose që nuk vilen kurrë. Mungesa e hartave rajonale bujqësore ka bërë që vendi ynë të prodhojë dhe fitojë pak nga ky sektor.

Harta rajonale e prodhimeve bujqësore parashikonte që në zonën e Shkodrës të nxitej blegtoria, sidomos mbarështimi i derrit dhe kultivimit të misrit dhe bimëve mjekësore. Qarqet e tjera në Veri, Pukë, Dibër dhe Kukës janë të përshtatshme për të rritur bagëti të imta, arrore, misër dhe pemë frutore, si mollët e qershitë. Në Shqipërinë e Mesme dhe në jug, në Fier, Lushnjë dominon prodhimi i perimeve, në juglindje të vendit, rajoni i Korçës u pa i përshtatshëm për prodhimin e fasules, qepës, patates, mollëve, bletarisë, të imtat etj.

Në jugperëndim, në Qarkun e Vlorës u pa me vend kultivimi i perimeve, ndërsa më poshtë në Jug, të imtat, sidomos dhitë dhe bletët. Ndarja e prodhimit sipas rajoneve, i cili më pas do të mbështetej me subvencione, u bë në bazë të traditës që i kishte popullsia e zonës për të prodhuar këto kultura, që kishin edhe rendimet për shkak kushteve të favorshme klimatike. Procesi është nxitur edhe më parë nga qeveria Berisha, por ndërkohë prodhimi u nxit pa pasur në konsideratë tregun dhe kërkesën për konsum. Nga ana tjetër, në vitin 2016 dështoi një tjetër projekt që mund të ndryshonte bujqësinë vendase. Ish-ministri i Bujqësisë i asaj kohe Edmnd Panariti propozoi ngritjen e “Bursës Bujqësore”, në këtë formë konsumatori, ushqimet e shportës do t’i kushtonin më pak pasi bursa bujqësore do i jepte fund spekulimeve. Ky Projekt nuk u vendos kurrë në jetë, për pasojë fermeri vendas mbjell dhe korrën atë që mëson nga kolegu i tij, por jo nga shteti që duhet të jetë rregullator i tregut bujqësor

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS