Rruga e vështirë e emigrantëve nga Lindja e Mesme, udhëtimi i shpresës që humbet në Shqipëri

 

Mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme, në përpjekje për t`i ikur luftës në vendin e tyre, e përdorin Shqipërinë si transit për të mbërritur në “tokën e premtuar”. Të zhgënjyer e të pashpresë, ata kanë ngecur në vendin tonë, duke e bërë edhe më të largët rrugën drejt destinacionit të tyre.

Autor: Denis TAHIRI

Mahmuti e la vendin e tij, Sirinë, dy vite më parë, për t’i shpëtuar luftës. Josefi, pjesëtari i fundit i familjes së tij, që kishte mbetur në Marok, e ndërmori udhëtimin e gjatë të refugjatit për t’iu bashkuar vatrës familjare në Holandë.Dy të rinjtë, krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri, ironikisht kanë të përbashkët fatin e refugjatit.Në kërkim të “tokës së premtuar” ata e përdorin Shqipërinë si rrugëkalim, por mbërritja në destinacion duket e largët.

“E lashë vendin tim ndoshta dy vite më parë. Kam udhëtuar në Turqi, Greqi, Shqipëri, Mal të Zi, Serbi dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Kam në plan ta vazhdoj udhëtimin tim, por problem janë paratë”, – thotë Josefi, rrugëtimi i të cilit është identik deri në këto momente me atë të Mahmutit, edhe pse destinacioni përfundimtar është i ndryshëm.

Para xhamisë së Durrësit, ku edhe ushqehej gjatë muajit të Ramazanit, Josefi të bën përshtypje për qetësinë që shfaq. Duket sikur e ka pranuar plotësisht situatën e vështirë, ku ndodhet. “Unë jetoj në rrugë, – thotë i riu, por rregullsia dhe pastërtia e teshave të tij nuk ta jep këtë përshtypje. – Dua të largohem nga Shqipëria, dua të bashkohem me familjen time në Holandë.”

Josefi ka zgjedhur t’i qëndrojë larg syrit të autoriteteve shqiptare, edhe pse të habit fakti, se ai është ndaluar nga policia për mosrespektim të masave anticovid dhe është liruar pa i dhënë asnjë ndihmë.

“Më ndaluan 24 orë dhe më pas më liruan”, – përfundon ai.

Pranë stadiumit Air Albania në Tiranë, Mehmet Itlem, një tjetër i ri që i ka ikur luftës në Siri, përpiqet të mbijetojë duke shitur shami letre, kështu ai shpreson se mund të vazhdojë udhëtimin drejt Malit Zi e më pas drejt Gjermanisë, ku e pret gruaja së bashku me të birin.

“Paratë mbeten problem, – thotë babai i ri, i cili prej shumë kohësh nuk e ka parë të birin.

– Dy pako me shami prej letre, që i blej në supermarket, i shes për 30 lekë. Kjo është puna e përditshme për mua. Për të fjetur qëndroj në një hotel në Laprakë, ku paguaj 5 euro/nata”.

Një grup emigrantësh në pritje të kalimit të kufirit

Ku shkojnë lekët?

Fondet e dhëna nga buxheti i shtetit për qendrat akomoduese të refugjatëve vitet e fundit janë në raport të zhdrejtë me numrin e azilkërkuesve. Ndërsa numri i atyre që trokasin në derën e këtyre qendrave speciale, arriti kulmin në vitin 2019, buxheti pësoi një ulje. Në vitin 2019 nga Policia Kufitare kanë kaluar në procesin e klasifikimit plot 11890 emigrantë. Në vitin 2020 shifra pësoi një rritje, duke shkuar në 18843, ndërsa muajt e parë të vitit 2021 janë 3267 emigrantë. Të gjithë këta të ndaluar nga Policia Kufitare iu janë nënshtruar procedurave, ku një pjesë e madhe e tyre kanë përfunduar në qendrat e përkohshme.

Refugjatë në Kufirin e Gjelbër

Në Shqipëri për refugjatët ka 6 qendra akomoduese, 4 prej të cilave janë qendra të përkohshme pranë stacioneve të Policisë Kufitare: në Kakavijë, me një kapacitet prej 31 personash, ajo e Gerhotit në Gjirokastër, me një kapacitet prej 60 personash, në Korçë, e cila ka një kapacitet akomodues, të përkohshëm prej 60 personash dhe qendra e përkohshme e pritjes në Kapshticë, me kapacitet prej 8 personash. Ndërkohë, qendra më e madhe akomoduese e Policisë së Shtetit është ajo e Karreçit, me një kapacitet prej 100 personash.

Numri i azilkërkuesve ndër vite në Shqipëri

Por qendra akomoduese, e cila ka qenë më shpesh në vëmendje të mediave, është ajo e Babrrusë. Gjatë vitit 2015 në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit janë akomoduar 589 azilkërkues, në vitin 2016, plot 1851 azilkërkues, në vitin 2017 numri i azilkërkuesve në këtë qendër ka qenë 330, ndërsa në vitin 2018 ky numër ka shkuar në 4371, duke u rritur edhe më shumë në vitin 2019 e duke shënuar shifrën rekord prej 6700 refugjatësh të akomoduar, ndërsa në vitin pasardhës në qendrën e azilkërkuesve në Babrru janë akomoduar 2189 azilkërkues.

Buxheti ndër vite për Qendrën Kombëtare, Pritëse të Azilkërkuesve

Çështjet e emigracionit janë konsideruar prioritet dhe për këtë arsye BE është një ndër donatorët kryesorë. Konkretisht, vetëm për vitin 2020 Bashkimi Europian ka dhënë rreth 8 milionë euro.

“Bashkimi Europian ka hartuar një projekt tjetër që nga prilli i vitit 2020, duke siguruar mbështetje për ta ndihmuar komunitetin e migrantëve që të përballojë pandeminë Covid 19.

Ky projekt rajonal i BE-së, i zbatuar nga IOM dhe UNHCR – me një buxhet të përgjithshëm prej 8 milionë eurosh – ka rezultuar me shpërndarjen e pajisjeve mbrojtëse, personale në komunitetin e migrantëve, por edhe në Policinë Kufitare dhe të Migracionit të Shqipërisë, si dhe në shpërndarjen e kontejnerëve (për qëllime sanitare, strehimi apo mjekësore)”, – thotë në një komunikim zyrtar Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri për Investigative Netëork Albania.

Por BE ka qenë e pranishme prej vitesh në Shqipëri. Në vitin 2017, Qendra Kombëtare për Refugjatët dhe Azilkërkuesit në Babrru iu nënshtrua një rikonstruksioni total; falë edhe buxhetit dypalësh, kushtuar kësaj qendre, buxheti i saj arriti në rreth 1.6 milionë euro.  Pavarësisht kësaj ndërhyrjeje të rëndësishme, problem mbetet mungesa e mirëmbajtjes dhe riparimeve të siguruara nga autoritetet shqiptare. “Ne jemi në kontakt të rregullt me Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë për të siguruar trajtimin e kësaj çështjeje”, – përfundon delegacioni i BE-së në Shqipëri.

I pyetur për problematikat e vëna re nga delegacioni i BE-së në Shqipëri, ky institucion shprehet se disa nga qendrat e përkohshme në jug të vendit kanë mungesë personeli nga Policia Kufitare dhe e Migracionit dhe drejtohen nga OJQ me mbështetjen e donatorëve ndërkombëtarë.

Policisë Kufitare dhe të Migracionit duhet t`i caktohet personel shtesë, çka do t’iu mundësonte atyre të siguronin menaxhimin e këtyre qendrave”, – thotë Delegacioni i BE-së, duke shtuar se një çështje e theksuar rregullisht në raportet vjetore të Komisionit Europian është gjithashtu mungesa e mjediseve të posaçme për të miturit e pashoqëruar mes emigrantëve në Shqipëri.

“Food brother, please…

Me një kuotë ditore prej vetëm 330 lekësh ushqim, probleme me higjienën, ngrohjen apo edhe veshmbathjet, një raport i Avokatit të Popullit zbuloi gjendjen e mjeruar të qendrës së azilkërkuesve në Babrru.

Vazhdonte  ishte një problematikë normativa për trajtimin e personave që akomodohen në këtë qendër, duke mos pasur asnjë normë trajtimi për këtë institucion (ushqim, veshmbathje, detergjentë, gaz). Në mënyrë të vazhdueshme janë bërë përpjekje nga ana e institucionit për zgjidhjen e këtij problemi. Më e fundit është shkresa nr. 13 prot., datë 10.01.2017 për “Përcaktimin e normativave”. Kuota ditore, e përdorur prej vitesh për një person, është 330 (treqind e tridhjetë) lekë për person, një shumë kjo tepër e ulët, duke iu referuar rritjes së çmimeve të ushqimeve në vite”, – kjo ishte një nga gjetjet më problematike në monitorimin që Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit gjeti në raportin e vitit 2021 në Qendrën Kombëtare të Azilkërkuesve në Babrru. Në raport citohet se, mënyra e të ushqyerit, veshmbathjet, detergjentët për trajtimin e azilkërkuesve janë një proces kompleks dhe dinamik, sepse në këtë qendër akomodohen kategori të ndryshme personash dhe kjo bën që puna rreth procesit të ushqyerjes të ketë një kosto më të lartë.

Edhe tejkalimi i kapaciteteve të saj zyrtare ishte një tjetër problematikë e konstatuar. Sipas këtij raporti, kapaciteti i qendrës është për 180 persona, por në rastet e tejkalimit të kapacitetit institucioni i akomodonte në ambiente të tjera, si te salla e pritjes, e lojërave dhe argëtimit.

Edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka dhënë alarmin për çështjen e mbipopullimit.

“Kemi ngritur probleme për sa i përket infrastrukturës, ku mbahen azilkërkuesit apo për qendrën e mbyllur të Karreçit, ku mbahen emigrantët e parregullt, e cila ndonjëherë nuk i përgjigjet fluksit migrator, nuk ka kushte të mjaftueshme të akomodimit dhe trajtimit të tyre, human”, – thotë Erida Skëndaj, drejtuesja e Komiteti Shqiptar të Helsinkit, e cila shton se në qendrën e Karreçit shtetasit që ndodhen aty kanë patur edhe mungesë të njohurive ligjore se me çfarë statusi mbahen në këtë qendër dhe se sa do të qëndrojnë aty.

Procesi i selektimit, problematik

Problematik në kufi mbetet, jo vetëm problemi i selektimit, por edhe rikthimi direkt në zonën e gjelbër.

“I kemi kapur në orare të ndryshme dhe, në momentin që i kapnim, i mblidhnim në një pikë dhe njoftonim stacionin e policisë. Më pas refugjatët dërgohen në kampet që janë ngritur për ta”, – kështu e nis rrëfimin e tij, pasi iu garantua anonimiteti, një zyrtar i Policisë Kufitare shqiptare. Gjatë bisedës me të ai tregon se janë kryer edhe kthime direkt në kufirin e gjelbër.

Kur ishin të rinj, nga mosha 15 deri në 40 vjeç dhe ishin vetëm ose të shoqëruar me shokë, janë mbajtur 8 ose 12 orë dhe më pas ktheheshin sërish prapa në kufirin e gjelbër, në afërsi të pikës ku ishin kapur dhe vëzhgoheshin, derisa largoheshin në drejtim të vendit nga kishin ardhur”, – thotë zyrtari i Policisë Kufitare, i cili shton se ka patur raste që të njëjtët persona, të cilët janë larguar në kufirin e gjelbër, janë kapur sërish pas disa muajsh.

Një procedurë e tillë rikthimi konsiderohet shkelje e të drejtave të refugjatëve nga ekspertët e çështjeve të emigrimit. Sipas tyre, edhe pse nuk jemi pjesë e sistemit të përbashkët të azilit, duke qenë se aderojmë në këto konventa ndërkombëtare, duhet të zbatojmë të gjithë legjislacionin që ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve.

“Në këtë aspekt shteti shqiptar duhet të zbatojë edhe parimin e moskthimit, në të kundërt, nëse një person, të cilit i rrezikohet jeta, kthehet, kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave”, – thotë ekspertja Armela Xhaho, duke shtuar se, kur bëhet fjalë për të miturit, është diçka e ndaluar. “Fëmijët e pashoqëruar nuk mund të dëbohen. Këta persona riatdhesohen, vetëm me kërkesën e familjarëve për t`iu bashkuar fëmijëve. Kjo kërkesë bëhet nëpërmjet institucioneve diplomatike”, – përfundon ajo. Nga ana tjetër, Erinda Skëndaj tregon se problem është edhe njohja e legjislacionit nga autoritetet pritëse kufitare, pasi aty bëhet klasifikimi, duke mos ndjekur siç duhet procedurat.

Kemi vërejtur raste të azilkërkuesve potencialë, të cilët vinin nga vendet e Lindjes, ku ka konflikt, ku ka luftë, ku ndihen të kërcënuar për jetën e tyre, si nga Siria, Iraku, Afganistani etj., të cilët potencialisht mund të ishin azilkërkues dhe mund të kenë qenë njerëz që duhet të merreshin në mbrojtje ndërkombëtare nga Shqipëria, e cila ka ratifikuar shumë nga konventat dhe aktet ndërkombëtare për mbrojtjen e azilkërkuesve. Ata sërish janë kthyer, me pretendimin se kanë hyrë në territorin tonë në mënyrë të parregullt dhe nuk kanë kërkuar menjëherë azil”, – thotë ajo.

E pyetur zyrtarisht, nëse strukturat e policisë janë në vështirësi për menaxhimin e situatës me refugjatët, Policia e Shtetit ka preferuar të japë një përgjigje diplomatike: “Policia e Shtetit së bashku me partnerët e saj është shumë e angazhuar për të menaxhuar migracionin e parregullt me forcat dhe mjetet që ka në dispozicion”.

Gjatë vitit 2019, në kufirin e gjelbër, kryesisht në kufirin jugor të Republikës së Shqipërisë, janë kapur 11890 emigrantë të parregullt, ndërsa në vitin 2020 ky numër është rritur edhe më shumë duke shkuar në 18843. E gjasat duken se edhe gjatë vitit 2021 numri i emigrantëve të parregullt, të kapur do të jetë i lartë, pasi vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë kapur 3267 emigrantë të parregullt.

Nga ana tjetër, numri i kërkesave për azil është shumëfishuar. Nga 321 kërkesa që ka patur në vitin 2015 për azil, në vitin 2018 ky numër ka shkuar në 1553, duke u rritur sërish në vitin 2019, i cili është edhe viti që ka shënuar kërkesat më të mëdha me 6703 aplikime. Ndërsa në vitin 2020 është shënuar një rënie, ku numri i kërkesave ka shkuar në 2208.

E ndërsa në vitin 2015 numri azilkërkuesve që ka fituar Statusin e Refugjatit ka qenë 41 dhe 4 azilkërkues kanë fituar statusin e Mbrojtjes Plotësuese, në vitet 2018, 2019 dhe 2020 këto shifra kanë rënë në mënyrë drastike.

Gjatë vitit 2018: 3 azilkërkues kanë fituar Statusin e Refugjatit dhe 13 azilkërkues kanë fituar statusin e Mbrojtjes Plotësuese. Në vitin 2019 1 azilkërkues ka fituar Statusin e Refugjatit dhe 23 azilkërkues kanë fituar statusin e Mbrojtjes Plotësuese”, – thotë zyrtarisht Ministria e Brendshme, duke shtuar se në vitin 2020, vetëm 4 azilkërkues kanë fituar statusin e Mbrojtjes Plotësuese.

Porti i Durrësit, porta drejt Europës gjatë pandemisë..

Nower, një i ri nga Maroku, e la vendin e tij me shpresën e një të ardhmeje më të mirë në Francë. 28-vjeçari qëndron prej muajsh në Durrës, me shpresën për të hipur në një prej anijeve që do ta çojë drejt brigjeve italiane, nga ku më pas shpreson se rrugëtimi i tij do të jetë më i lehtë.

“Kam ardhur në Shqipëri një vit më parë, me shpresën se do të shkoj në Itali e më pas në Francë. Këtë vit kam jetuar, ku më ka zënë nata”, – thotë ai.

Shtimi i kontrolleve policore prej më shumë se një viti prej Covid-19 bëri që pjesa më e madhe e refugjatëve ta braktisnin Tiranën për shkak të mundësisë së vogël për të udhëtuar drejt veriut e të përqendroheshin në Durrës.

Në portin më të madh në vend nuk kanë munguar rastet, kur dhjetëra emigrantë gjenden të fshehur në kamionë, por as rastet kur tentojnë që të hipin në anijet që udhëtojnë drejt Italisë, duke notuar drejt tyre.

Në momentin kur bie sadopak vigjilenca nga ana e sigurisë së portit, vrapojnë të futen në kamionë, se mendojnë se nuk do të kapen”, – thotë një punonjës i portit të Durrësit.

Drejtoria vendore e Policisë Durrës i thotë Investigative Netëork Albania se kanë rritur kontrollet në pikat e kalimit, si dhe kontrollet në qytet, me qëllim parandalimin e trafikut të shtetasve që pretendojnë kalim të paligjshëm drejt vendeve të BE-së nëpërmjet vendit tonë.

“Në rast të konstatimit nga shërbimet e policisë në terren të shtetasve të huaj që qëndrojnë në vendin tonë pa leje qëndrimi, pasi intervistohen, nëse ka elemente të veprave penale, si “Dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm” ose të tjera, këta shtetas dorëzohen në pikën kufitare në Port Durrës e më pas në bazë të vlerësimit ndëshkohen me masë administrative, riatdhesohen ose dërgohen në kampe rehabilitimi”, – shprehet zyrtarisht Policia e Durrësit, por pa i dhënë një përgjigje pyetjes: Gjatë viteve 2017, 2018, 2019, 2020, 2021 sa raste janë referuar nga strukturat e Portit të Durrësit për problematika që lidhen me refugjatët e paligjshëm?

Dy të rinj në pritje të kalimit të paligjshëm të kufirit

Pavarësisht kontrolleve të shtuara, sërish qindra emigrantë tentojnë ta kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin. Në prokurorinë e Durrësit, në vitin 2017 janë referuar 58 raste, me vetëm 6 autorë të arrestuar, në vitin 2018 janë referuar 116 raste, ku janë vetëm 4 autorë të arrestuar, ndërsa në vitin 2019, edhe pse janë 136 raste të referuara, nuk ka patur autorë të arrestuar. Nga ana tjetër, statistikat tregojnë se për vitin 2020 nga 142 raste të referuara në prokurori, është arrestuar vetëm 1 person. Nga janari deri në qershor të vitit 2021, nga 45 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, është arrestuar vetëm 1 autor.

Trafikimi i refugjatëve, tashmë një biznes fitimprurës

“- Po shiko se kanë shkruajtur ata, më dërguan lokeishën, për 2 orë janë te pika.

– Ku, në Korçë?

– Eee…

– Mirë, se flasim nga afër…”

Këto mesazhe janë vetëm disa nga përgjimet e njërës prej dosjeve, që ndodhet në prokuroritë e vendit. Aktualisht kjo dosje voluminoze ndodhet në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës, e cila ka nisur procedimin për veprën penale të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”. Në dosjen e prokurorisë thuhet se, grupi i personave të përfshirë në këtë aktivitet përdorte aplikacionet, si

ËhatsAppViber dhe Google Maps, nëpërmjet të cilave kontaktoheshin nga refugjatët, ku këta të fundit iu dërgonin vendndodhjen e tyre e më pas shkonin i merrnin, për t`i sjellë në Tiranë.

Një tjetër përgjim është bërë mes anëtarëve të grupit edhe në Rrëshen të Mirditës, çka tregon se aktiviteti i tyre ishte i shtrirë edhe në pjesën veriore të Shqipërisë.

“- Alo..

– Ku jeni ju?

– Autostradë, ku di unë, prit të shoh ndonjë gjë.

– Kam lënë cigaret atje unë, po ma merr me miza.

– S`ka gjë loku, duhani dëmton rëndë shëndetin.

– O loku, qenke në humor të paparë sot, po t`i hodha zezakët një e nga një nga dritarja.

– Hidhi!”

Përpara togave të zeza kanë dhënë deklaratat e tyre edhe 5 refugjatët me origjinë nga Maroku, të cilët kanë shpjeguar se si kanë komunikuar me trafikantët.

Para se të niseshin nga Greqia, kanë komunikuar me njëri-tjetrin për të caktuar vendin se ku do të takoheshin me personat trafikantë, që do t`i merrnin për t`i sjellë në Tiranë. Ata kanë marrë numrin e telefonit të këtyre personave, numër të cilin e kishin shënuar në telefon në arabisht me emrin “Lëvizja”, – thuhet në dosjen e prokurorisë, ku në deklarimin e refugjatëve thuhet se, pasi kanë hipur të pestë në automjet, kanë paguar 750 euro në total për të mbërritur nga Korça në Tiranë.

Në disa raste trafikantët, për t`i shpëtuar ndjekjes së policisë, kanë shkaktuar edhe aksidente. Konkretisht, një furgon mallrash, i cili transportonte 14 refugjatë, më 21 qershor hyri në rrugicat e Rrugës së Elbasanit, duke përplasur edhe 5 automjete të parkuara. Policia, edhe pse shkoi në vendngjarje, arriti të arrestonte vetëm njërin prej trafikantëve, ndërsa tjetri u shpall në kërkim.

Referuar statistikave, biznesi i emigrantëve të paligjshëm vazhdon të jetë shumë joshës.

Gjatë vitit 2018 janë evidentuar nga Policia e Shtetit 127 vepra penale për dhënie ndihme për kalimin e kufirit dhe transportin e refugjatëve në territorin e vendit, vepra që kanë 248 autorë, por 96 prej tyre janë arrestuar, 69 janë ndaluar dhe 61 janë në gjykim të lirë. Ndërkohë, gjatë vitit 2019 janë regjistruar 146 vepra penale, me 259 autorë gjithsej, 99 prej tyre të arrestuar, 49 të ndaluar dhe 97 janë në gjykim të lirë.

Nga ana tjetër, edhe pse viti 2020 është cilësuar si vit pandemik, duket se biznesi i transportit të refugjatëve ka lulëzuar. Janë plot 304 vepra penale të regjistruara nga policia, me 572 autorë, ku janë arrestuar 317 prej tyre, 43 janë ndaluar dhe 165 janë në gjykim të lirë.

Çmimet për transportin e këtyre refugjatëve janë të ndryshme, por burime nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se zakonisht variojnë nga 50 euro deri në 400 euro, kjo në varësi të grupit që do të transportohet, si dhe hapësirës që do të përshkohet brenda vendit.

Po i njëjti burim i tha Investigative Network Albania -s se, për të kaluar refugjatët nga Shqipëria drejt vendeve të tjera, trafikantët kërkojnë shuma parash nga 200 deri në 1500 euro.

Pavarësisht zhgënjimit, i riu Mehmet Itlem, që përpiqet të grumbullojë pará duke shitur kartopeceta, nuk i ka humbur shpresat.

“Kam udhëtuar me këmbë për një muaj, duke kaluar në Turqi, Greqi e më pas në Shqipëri. Shpresoj se shumë shpejt do të bashkohem me familjen time në Gjermani”, – i shpjegon Investigative Network Albania-s i riu, i cili përpiqet t’iu shesë shami letre kalimtarëve të rastit.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS