Armët e paligjshme të zjarrit përdoren në 7 nga 10 vrasje në vend

Të dhënat tregojnë se armët e paligjshme përdoren në 7 nga 10 vrasje të ndodhura në vend, duke e klasifikuar Shqipërinë si një vend me rrezikshmëri të lartë për përdorimin e armëve të zjarrit. Kallashnikovi, AK-47, vazhdon të jetë “mbreti i porosive”, ndërsa grupet kriminale preferojnë armë të reja e të sofistikuara me precizion të lartë, një tendencë kjo që po vihet re së fundmi.

 Autor: Marjo Brakaj

E.Llanaj, i dënuar me 4 vite burg për trafikim të armëve të zjarrit, tashmë është penduar për “profesionin”. 28-vjeçari nga Vlora thotë se “u gjet krejt papritur, e në po të njëjtën mënyrë u gjend para hekurave”.

“Përdoreshin për gjithçka: vrasje, plagosje e vjedhje me dhunë, – rrëfen Llanaj për Investigative Network Albania. – Unë zakonisht merresha me porosi brenda Vlorës”.

Në një rrëfim për INA MEDIA-n i riu thotë se “mbreti” i porosive për armë të jashtëligjshme vazhdon të jetë kallashnikovi, AK-47, prodhim rus, që ka përdorur më parë ushtria, por edhe pistoletat nuk mbeten më pas. Sipas rrëfimit të tij, në Shqipëri nuk është aspak e vështirë të gjesh një armë.

“Njohje pas njohjesh vinin porosi edhe nga qytete të tjera, po nuk para jam marrë. Kallashnikovët ishin nga 30 deri në 70 mijë lekë. Pistoletat, TT apo kur qëllonte ndonjë Glock model 17 ose 19, shkonin edhe më shumë. Madje, kur unë jam arrestuar nga civilët në Kripore, kam pasur me vete një Glock të bardhë, një kallashnikov gati të ri fare, fishekë e dy granata. Porosia ishte për në Fier”, – kujton i riu, tashmë i penduar.

Sipas të dhënave nga Prokuroria e Përgjithshme, në harkun e viteve 2016-2020, në vend janë proceduar penalisht 24 persona për trafikim të armëve dhe municioneve luftarake.

Prej tyre, të dhënat e gjykatave të rretheve gjyqësore tregojnë se janë dënuar me vendim të formës së prerë 7 individë.

Shqipëria është një ndër vendet me numrin më të lartë të armëve të paligjshme të zjarrit në duar të popullsisë.

Referuar të dhënave nga Ministria e Brendshme, pas trazirave në vitin 1997, nga depot e armëve në vend u grabitën 16,000,000 eksplozivë; 839,310,038 municione dhe 549,775 armë.

“Armët pa leje janë një rrezik permanent, të cilat mund të përfundojnë në dorë të vrasësve, me apo pa dëshirë. Fakti që dikush e mban pa leje, tregon gjithashtu se vetë personi është dikush që nuk respekton ligjin. Duke mbajtur një armë pa leje, ai tashmë është kthyer në një individ problematik dhe rrezik për sigurinë publike”, – thotë Pëllumb Nako, ish-drejtor i Policisë Kufitare.

Me qëllim dorëzimin e armëve luftarake pa leje, qeveria e Shqipërisë ka miratuar tri amnisti për mbledhjen e tyre vullnetare. Gjatë këtyre “faljeve ligjore”, janë dorëzuar 224,521 armë, 118,714,856 municione dhe 1,541,386 eksplozivë.

“Në vendin tonë janë aplikuar disa herë pas vitit 1991 amnisti për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, por kjo nuk ka ndikuar në uljen e ngjarjeve kriminale me armë. Po ashtu, amnistia nuk është opsion inteligjent për të mbajtur nën kontroll grupet kriminale, pasi këto të fundit e konsiderojnë armatimin pjesë të fuqisë së tyre mbi territorin dhe linjat e paligjshme në posedim”, – vlerëson pedagogu i kriminologjisë, Ervin Karamuço.

Aktualisht, përllogaritet se numri i armëve të paligjshme është 325,254, i municioneve 720,595,182 dhe 14,458,614 eksplozivë.

Ministria e Brendshme përllogarit se shumica e mbajtësve të armëve të zjarrit në Shqipëri janë burra (99.9 për qind). Burrat gjithashtu përbëjnë shumicën dërrmuese të autorëve të incidenteve me armë zjarri (98 për qind) dhe mbizotërojnë ndërmjet viktimave (89 për qind).

“Kryesisht në zonat e veriut gjen një kallashnikov për çdo banesë. Kjo armë nuk bën dallim. Krime në familje, krime pasioni, gjakmarrje, grabitje apo atentate kryhen me të”, – thotë Ergys Muzhaqi, njohës i çështjeve të sigurisë.

Në vend mesatarisht ndodh një vrasje ose plagosje çdo ditë. Vetëm në 5 vitet e fundit janë vrarë nga armët e zjarrit 284 persona dhe janë plagosur të tjerë.

Në 7 nga 10 vrasje përdoret një armë e paligjshme zjarri

Të dhënat tregojnë po ashtu se armët e paligjshme përdoren në 7 nga 10 vrasje të ndodhura në vend, duke e klasifikuar Shqipërinë si një vend me rrezikshmëri të lartë për përdorimin e armëve të zjarrit.

“Në 6-mujorin e parë të vitit 2021 në Shqipëri janë shënuar 34 vrasje me armë zjarri. Shumica e tyre të kryera në zona të banuara dhe me armë të gjata luftarake (automatik), çka përbën një rrezik serioz për rendin dhe sigurinë publike. Megjithëse Shqipëria ka një indeks 2.69 për 100.000 banorë për vitin 2021, duke e renditur atë të gjashtën në Evropë, rrezikshmëria e përdorimit të armëve të zjarrit mbetet shumë e lartë”, – argumenton Karamuço.

Armët e paligjshme të zjarrit përdoren gjithashtu edhe në grabitje. Në 5 vitet e fundit, 77 persona janë proceduar për grabitje me armë zjarri.

“Përveç armëve të zakonshme, vitet e fundit ka një trend të përdorimit të armëve të konvertueshme, të cilat mund të përdoren në grabitje. Ato mund të modifikohen në armë zjarri, që mund të qëllojnë municion të vërtetë, duke zëvendësuar ose modifikuar pjesë të armës. Disa grupe të krimit të organizuar janë përfshirë në modifikimin e paligjshëm të armëve të konvertueshme, të cilat mund të jenë të lira për t’u marrë dhe fitimprurëse për t’u rishitur si armë zjarri, ndërkohë që janë të vështira për t’u gjurmuar nga organet e zbatimit të ligjit”, – tregon Arjan Dyrmishi nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.

Për Policinë e Shtetit trafikimi dhe incidentet me armë zjarri mbeten një fenomen mjaft shqetësues, i cili, pavarësisht ndërhyrjeve ligjore, nuk ka gjetur ende zgjidhje.

“Trafikimi i armëve të zjarrit, incidentet dhe veprat kriminale, të kryera me armët e zjarrit në Shqipëri, mbeten ende një fenomen shqetësues, i cili mund të trajtohet vetëm në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe ndërsektoriale, ku do të përfshihet një gamë e gjerë e aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë”, – sqaron Policia e Shtetit në një përgjigje zyrtare për Investigative Network Albania.

Fatjon Softa, ekspert për sigurinë publike, ngre shqetësimin se, edhe çerekshekulli pasi popullata u armatos, ato vijojnë të jenë me shumicë në duart e qytetarëve, duke e kthyer kontrabandën e armëve në një lloj biznesi “të zakonshëm”.

“Trafiku i brendshëm përbëhet kryesisht nga armë të mbetura nga viti 1997. Megjithëse po bëhet gati një çerek shekulli, ato vijojnë të jenë funksionale e të tregtohen si mall. Zonat e veriut kanë edhe rezervat më të mëdha. Është kthyer në një lloj biznesi. Korrieri e transporton armën me automjete private e publike e madje, me kafshë”, – shpjegon Softa se si funksionojnë skemat e trafikut.

Ky fenomen konfirmohet edhe nga Komisioni Europian në Raportin e Progresit të këtij viti për Shqipërinë, në të cilin thuhet: “Në lidhje me trafikun e paligjshëm të armëve të zjarrit, në Shqipëri qarkullon një numër i madh armësh zjarri.”

Për ekspertin e sigurisë, Ergys Muzhaqi, siguria kombëtare tashmë është cenuar, ndërsa duhet punuar që të mos kthehet në kërcënim serioz. Vatrat e nxehta ndodhen në veri të vendit. Kallashnikovi mbetet arma e “preferuar”, që në zona të caktuara e gjen në një pjesë të madhe të familjeve.

“Siguria kombëtare tashmë është e cenuar, për shkak të sasisë së armëve të paligjshme që qarkullojnë në vend. Ajo që duhet bërë, është që kjo situatë të mos kthehet në kërcënim serioz. Kallashnikovi është arma, për të cilën duhet punuar shumë nga strukturat shtetërore, që ta marrin në dorëzim. Shumë familje, kryesisht në veri të vendit, posedojnë një armë të tillë.”

Në Progres-Raport Komisioni Europian vlerëson se në Shqipëri, jo vetëm që qarkullon një numër i madh i armëve të zjarrit, por ngre alarmin se vendi është kthyer tashmë në shtet transit të trafikimit të tyre.

“Armët e zjarrit përdoren nga grupet kriminale, shqiptare dhe trafikohen kryesisht në vendet fqinje. Shqipëria është një destinacion dhe një vend transit për armët e zjarrit. Shqipëria duhet të miratojë procedura dhe mekanizma standard për të luftuar tregtinë e paligjshme të armëve të vogla dhe të lehta. Korniza e ligjit penal mbetet të përafrohet plotësisht me kërkesat e Protokollit të OKB-së për Armët e Zjarrit”, – thuhet në raportin e KE-së.

Sipas ish-drejtuesit të Policisë Kufitare, Nako, përmes pikave kufitare hyjnë kryesisht armë të sofistikuara, që kanë për “klientë” grupe kriminale.

“Armë të sofistikuara sigurisht që hyjnë në vendin tonë dhe dihet se ato janë në përdorim të grupeve kriminale, që rivalizojnë me njëri-tjetrin, si dhe të vrasësve profesionistë, që po përdoren gjithmonë e më shumë; përfshi këtu edhe atentatet me eksploziv të telekomanduar që qarkullojnë jo pak në botën kriminale”, – vlerëson Nako.

A., Korçari, një tjetër i ri që për vite me radhë ka qenë brenda biznesit të trafikut të armëve, konfirmon se në vendin tonë futen kontrabandë armë të reja e të sofistikuara, me një precizion shumë të madh. Teksa kujdeset të theksojë se ka hequr dorë përfundimisht nga kjo punë, ai tregon diçka nga eksperienca e tij me trafikimin e armëve të zjarrit nga jashtë vendit kryesisht.

“Mali i Zi, Serbia, Kosova dhe Greqia në dijeninë time kanë qenë shtetet kryesore nga vinin armë në Shqipëri, kryesisht armë të reja e të sofistikuara. Unë kam futur Dragunov SVD, pushkën-snajper, Barrett M82A1, e shumë armë të tjera, të sofistikuara e me saktësi të lartë. Ndryshe njihen si armë “tek-gjuajtje”, që do të thotë: vdekje e sigurt”, – thotë 32-vjeçari nga Fieri.

Korçari shpjegon më tej për Investigative Network Albania se rrjeti i trafikimit përbëhet kryesisht nga shqiptarë, serbë e italianë.

“Unë pikat e kontaktit i kisha me shqiptarë. Ata lidhjet i kishin të thella, që shkonin përtej Ballkanit. Armët i sillnin në kufi serbë e italianë, ndërsa unë bashkë me një ose dy shoqërues i sillnim në Shqipëri. Të çarat për trafikimin e tyre gjenden, si në kufirin e tokës, ashtu edhe në atë detar”, – thotë ai, teksa i jep përgjigje pyetjes se si arrinin të depërtonin brenda kufirit.

Për Ministrinë e Brendshme “lufta” ndaj trafikimit të armëve të paligjshme duhet të nisë nga personeli që punon në pikat e kalimit të kufirit.

“Ulja e rreziqeve nga posedimi i armëve, eksplozivëve dhe nga trafikimi i tyre duhet të jetë prioritet, edhe i strukturave të kontrollit kufitar, edhe i atyre të përfshira në luftën kundër krimit të organizuar”, – thotë Ministria e Brendshme për INA MEDIA-n në një përgjigje zyrtare.

“Për shkak të tregtisë dhe lëvizjes në rritje të njerëzve në dekadat e fundit, është bërë më e lehtë dhe e mundur lëvizja e mallrave të paligjshme të të gjitha llojeve, përfshi armët. Armët automatike, të nxjerra nga depot në vitin 1997, janë përhapur në vendet fqinje, por dhe me gjerë në Europë. Përveç këtij drejtimi, në Shqipëri janë importuar ilegalisht armë të vogla, të prodhimeve të ndryshme”, – argumenton Arjan Dyrmishi.

Sipas Komisionit Europian, në vend po “hedh rrënjë” edhe një formë e sofistikuar e trafikimit të armëve, por edhe ajo e “prodhimit” të armëve të zjarrit në 3D.

“Një tjetër fenomen kërcënues për të ardhmen mbetet edhe shfaqja e formave të reja të trafikimit të pjesëve të armëve të zjarrit përmes kolive postare apo postës së shpejtë, tregtimit të paligjshëm online, prodhimit të pjesëve të armëve në 3D etj.”, – thuhet në Raportin e Progresit të KE-së.

Por, ky fenomen nuk është as i ri e as i panjohur për autoritetet shqiptare. Sipas ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, Fatjon Softa, printerë të tillë mund të gjenden lehtësisht në qytetin e Durrësit.

“Printimi tredimensional (3D), i njohur edhe si prodhim aditiv (AM), është një teknologji, nëpërmjet së cilës shtresa të njëpasnjëshme materiali shtrohen njëra mbi tjetrën nën kontrollin e kompjuterit dhe rezultati final është një objekt tredimensional. Përgjatë viteve të fundit termi printim 3D njihet edhe si një metodë relativisht e lehtë për të prodhuar armët e zjarrit, duke shtuar kështu shqetësimet se kjo mund të rrisë përhapjen e tyre, pasigurinë dhe furnizimin e kontraktorëve. Në Durrës gjenden të tillë”, – shpjegon Softa.

Trafikimi i armëve të paligjshme në vend është kthyer në një shqetësim serioz, për shkak se grupet kriminale mund t’i gjejnë ato lehtë, me pak pará dhe pa “lënë gjurmë”. Gjithashtu, futja e metodave të sofistikuara për prodhimin e tyre e bën edhe më të vështirë punën e policisë për parandalimin dhe zbardhjen e rasteve.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS